Pëllumb Xhufi

Diplomati, deputeti e historiani Pëllumb Xhufi lindi me 24 gusht 1951, në Durrës. Ai është biri i Muharrem Xhufit nga Progonati dhe i Katerinës nga Libohova. Prindërit e Xhufit qenë partizanë në brigadat 5 dhe 6. Muharremi pas lufte shkoi për studime në Akademinë Voroshillov në Moskë, ku u diplomua për oficer dhe arriti një karrierë të lartë ushtarake me gradën Kolonel, dhe më tej punoi si sekretar në komitet partie. E ëma dhe e motra punonin në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit.
Pëllumbi mbaroi shkollën e mesme në gjuhët e huaja në Tiranë për latinisht dhe greqishten klasike dhe më 1972 vazhdoi studimet e larta në Universitetin “La Sapienza” në Romë, në fakultetin e filologjisë (it. Lettere e filosofia), dega e gjuhëve dhe letërsisë klasike (it. Lettere classiche). Studimet i përfundoi më 1977 dhe u kthye në Shqipëri ku filloi punë në Radio-Televizionin Shqiptar, për marrëdhënie me jashtë, ku qëndroi për katër vjet.
Më 1981 u transferua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave, prej ku u dërgua për specializim për studime PhD, në Universitetin e Këlnit, si bursist i Fondacionit “Humboldt”. Në vitin 1997, nisi punën në Ministrinë e Punëve të Jashtme në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale, ku pas një viti u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme.
Karriera e tij diplomatike vazhdoi duke qenë ambasador i Shqipërisë në Itali, për katër vjet. Në vitin 2005, u kthye ne Shqipëri ku kandidoi për deputet dhe fitoi dhe mori pjesë aktive në jetën parlamentare në vitet 2005-2009.
Nga viti 2009, punon si studiues në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në detyrën e Shefit të Departamentit për historinë e Mesjetës dhe të Kohës së Re. Njëkohësisht është lektor i lëndëve Histori e Bizantit dhe Histori e Italisë dhe Qytetërimit Italian në Universitetin e Tiranës.